Secondary Adv

KE konfirmon heqjen e të gjitha masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Komisioni Evropian konfirmon heqjen e të gjitha masave ndëshkuese financiare ndaj Kosovës dhe rikthimin e bashkëpunimit të plotë.

Rikthehet financimi dhe bashkëpunimi me BE-në

Bashkimi Evropian ka hequr të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023. Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity, gjatë debatit për Raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian.

 

“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian e ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, u shpreh ai.

 

Kritika për ngërçin politik dhe reformat

Gjatë diskutimeve në Parlamentin Evropian u shpreh shqetësim për ecurinë e reformave në Kosovë, të cilat janë ndikuar nga ngërçi politik gjatë vitit 2025. Raportuesi për Kosovën, Riho Terras, theksoi se kjo situatë ka penguar përparimin e vendit në procesin e integrimit europian.

 

“Është për të ardhur keq që pasiguria dhe ngërçi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Evropian pret nga aplikantët. Ka fusha ku Kosova ka bërë regres gjatë vitit të kaluar”, deklaroi Terras.

 

Masat u vendosën pas tensioneve në veri

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës ishin vendosur nga BE-ja në vitin 2023, si reagim ndaj tensioneve në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe, pas marrjes së mandatit nga kryetarët shqiptarë në katër komunat e veriut. Në atë periudhë pati përplasje mes protestuesve serbë dhe forcave të sigurisë, përfshirë edhe trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

 

Marrëveshje për zbatimin e Ligjit për të huajt

Gjatë diskutimeve u përmend edhe marrëveshja e fundit për zbatimin e Ligjit për të huajt në Kosovë, e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesja e Shërbimit të Jashtëm Evropian, Anne Kempainen, vlerësoi hapat e ndërmarrë nga Kosova për respektimin e sundimit të ligjit, duke theksuar se kjo marrëveshje do t’u mundësojë serbëve të Kosovës të jetojnë, studiojnë dhe punojnë ligjërisht në vend.

 

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe do të njohë dokumentet e komunitetit serb, ndërsa ligji për të huajt dhe ai për automjetet kanë hyrë plotësisht në fuqi nga 15 marsi.

Këto masa lehtësuese janë mirëpritur nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Serbia, si një hap pozitiv drejt stabilitetit dhe dialogut në rajon.

 

Burimi: REL


Më të lexuarat